Art & Kulturë

Aktorja shqiptare Marjeta Ljarja rrëfen disa detaje rreth martesës së saj

Marjeta Ljarja ka qenë e ftuar në studion e “Pasdite në Top Channel”, ku ka folur mbi jetën, profesionin dhe marrëdhënien me burrin e saj, Rikard Ljarja.

Aktorja e njohur ka rrëfyer se ëndrra e saj nuk ka qenë që të bëhej një aktore, por nuk pendohet për këtë profesion që i ka siguruar një karrierë të bukur.

Unë jam bërë aktore jashtë vullnetit tim, por rastësia më ndryshoi rrjedhën e jetës. Unë kisha ëndrra të tjera, doja të bëhesha inxhiniere ndërtimi. Kemi jetuar në një sistem që drejtimin ta jepnin të tjerët, por nuk më doli keq karriera në aktrim”, ka thënë ajo.

Gjithashtu, Marjeta është ndalur tek marrëdhënia me burrin e saj, Rikardon. Sipas aktores, ata janë dy natyra të ndryshme që plotësojnë njëri-tjetrin. “Unë jam ajo e ëndrrave të thjeshta, ndërsa ai me atë thellësinë e tij, me dashurinë për librin dhe pikturën”.

Ajo është ndalur edhe tek dasma e saj me bashkëshortin, duke rrëfyer se është bërë vet nuse, pasi nuk është rregulluar në parukeri.

“Po, po, e thjeshtë siç kam qenë gjithmonë dhe tani që mezi pres ta heq grimin, ashtu kam qenë dhe ditën e dasmës. U rregullova vetë, shpejt e shpejt rregullova flokët, vendosa ato lulet…Por atëherë ishte gjithçka për herë të parë dhe shkëlqenin sytë. Sot po të më japësh një fotografi duhet të më thuash cila është nusja. Ti mund ta kesh njohur vajzë, por nuk e njeh nuse”, është shprehur Marjeta.

Për të, arsyeja se përse nuk është më aktive në kinematografi, ka të bëjë me ndryshimin e kërkesave të tregut të sotëm, pasi regjisorët nuk e kanë ftuar për të luajtur në ndonjë shfaqje.

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).