Agim Sulaj çel edicionin e gjashtë të ekspozitës “Rrënjët”

18:00, 2 Dhjetor, Hotel Plaza, kati i tretë

Artisti Agim Sulaj hap për të gjashtin vit rradhazi ekspozitën “Rrënjët.” Pikërisht ky event e rikthen Sulajn në Tiranë vit pas viti. Edicioni i 2021 do të mbahet në katin e tretë të Hotel Plaza, ditën e nesërme (2 dhjetor) në orën 18:00. Çelja duhej të bëhej sot (1 dhjetor), por prej një situate të paparashikuar, u shty për ditën e enjte. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 10 dhjetor.

Veprat e përzgjedhura mbulojnë një fashë të gjerë tematikash duke nisur nga lufta e Vlorës e deri te pandemia globale. “Në këtë ekspozitë janë rreth 40 punime dhe shumica prezantohen për herë të parë, janë punë të viteve të fundit”, thotë Sulaj.