Art & Kulturë

15-vjetori i Çmimeve KULT! Ja kush janë fituesit

Çmimet KULT këtë vit mbushën plot 15-vite dhe mbrëmja e sotme ishte vërtetë madhështore e magjike, ashtu siç i ka hije.

Mbrëmja Gala e këtij viti, ashtu siç ishte premtuar na solli plot surpriza dhe emra të njohur të Artit Shqiptar.

Që nga tapeti i kuq, të ftuarit, juritë, fituesit, skenografia që këtë herë vinte ndryshe, të gjithë këto e bënë mbrëmjen akoma më magjike. Emrat më të spikatur dhe më elitarë, krijues dhe interpretues, shkrimtarë dhe përkthyes, regjisorë dhe aktorë, këngëtarë dhe muzikantë, balerinë dhe instrumentistë, artistë pamor, gazetarë dhe figura të ekranit përshkuan tapetin e kuq të Çmimeve KULT.

Kujtojmë se Mbrëmja Gala e Çmimeve Kult 2019, u shty për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit, dhe në shenjë solidariteti disa prej fituesve zgjodhën që vlerën monetare të çmimit të tyre ta dhuronin për të prekurit nga tërmeti. Të tillë ishin, Kristo Krisiko, fituesi i çmimit “Artisti Pamor i Vitit”, Anxhela Peristeri, fituesja e “Kënga e Vitit” si dhe Eno Milkani, fitues i çmimit “Dokumentari i Vitit”. Një gjest ky mjaft fisnik nga ana e artistëve.

Nën drejtimin e dy prezantuesve Enkel Demi dhe Edi Oga, mbrëmja e Çmimeve Kult garantoi spektakël të paharrueshëm, nga artistë të pakonkurrueshëm në tregun muzikor dhe jo vetëm.

Tenori, Denis Skura dhe këngëtarja e famshme Venera Lumani sollën një duet të padëgjuar kurrë më parë dhe një performancë të shkëlqyer që ngriti në këmbë publikun e Çmimeve Kult.

Padyshim që një mbrëmjeje si kjo nuk mund t’i mungonte një “Libertango” nga primo-balerinët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Adela dhe Anxhelo Muçollari, motër e vëlla. Kujtojmë se Adela është edhe dy herë fituese e Çmimeve Kult.

Një performancë spektakolare solli edhe nga Orkestra e Harqeve e SIGAL Uniqa Group Austria, me Dirigjent, Ermir Dizdari, mjeshtër i madh. Në skenën e Çmimeve Kult 2019 u vendosen plot 12 harqe që do të emocionojnë publikun.

E sigurisht që fituesit ishin ajka e Mbrëmjes Gala.

Këtë vit ishin 78 artistë të nominuar, për 13 Çmime të mëdha si dhe dy Çmime Speciale.

Dhe fituesit janë si më poshtë:

1. KËNGA E VITIT:
Anxhela Peristeri me këngën “Pa Mua”

2. INTERPRETUESI LIRIK I VITIT:
Armando Likaj me Escamillo në Operën “Carmen”

3. INSTRUMENTISTI I VITIT:
Ali Pengili, Oboe me Koncert për oboe Nr.2 ( sol minore) nga Ludwig August Lebrun

4. BALERINI I VITIT:
Fatjon Lito me Albert tek “Zhizel”

5. MONO-DRAMË/ KOMEDIA E VITIT:
Olta Daku me “Shirli Valentina”

6. AKTORI I VITIT:
Koço Qendro me Harpagoni tek “Kopraci”

7. AKTORJA E VITIT:
Luiza Xhuvani me Medea tek “Medea”

8. DOKUMENTARI I VITIT:
Eno Milkani me “Atentatet e mëdha”

9. REGJIA E VITIT:
Ema Andrea me “Natën, Má!”

10. ARTISTI PAMOR I VITIT:
Kristo Krisiko me “Prolog epilog”

11. LIBRI ALBANOLOGJIK I VITIT:
Pranvera Bogdani me “Balshajt”

12. LIBRI ARTISTIK I VITIT:
Diana Çuli me “Vrasje në Kryeministri”

13. PËRKTHIMI I VITIT:
Parid Teferiçi me “Dita e mbetur” nga Kazuo Ishiguro

2 Çmimet Speciale
14. Prof. Lucia Nadin
15. Prof. Francesco Altimari

 

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).