“1385” premierë në Ferizaj

Shfaqja “1385” do të jepet premierë në qytetin e Ferizaj, Kosovë, në datën 28 dhjetor tek teatri Adriana.

Me regji të Fatmir Hysenit dhe tekst nga Bardh Frangu, kjo monodramë vjen në skenë nëpërmjet aktorit Nexhat Xhokli.

Historia e “1385” trajton dramën e të pagjeturve në Kosovë, por me një gjuhë të veçantë, e cila karakterizohet nëpërmjet ironisë, satirës dhe sarkazmit, mbase deri në groteskë. Si e tillë, është një dramë e absurdit politik, ku ndeshen morali me amoralitetin, gënjeshtra me të vërtetën, ndershmëria me pandershmërinë, etj.

Teksti nëpërmjet parabolës, sjell kujtimin si referencë për kohën që po jetojmë. Një valixhe që shërben si varr në lëvizje, një lis që shërben si metaforë e qëndrueshmërisë, një çerdhe lejleku në të, si simboli i bukurisë, përbëjnë elementet mbi të cilat ndërthuret konflikti brenda kësaj monodrame.

Ajo do të shfaqet në orën 20:00, duke filluar që nga data 28 dhjetor në teatrin Adriana, Ferizaj.