Art & Kulturë

Ҫfarë ka ndodhur më 18 dhjetor? Ja disa fakte historike mbi këtë datë

Më 18 dhjetor të vitit 1863 lindi në Grac të Austrisë Franz Ferdinand, princi mbretëror i Hungarisë dhe i Bohemisë. Nga viti 1889 deri në vdekje, ai ishte princ trashëgimtar i fronit austro-hungarez. Vrasja e tij me atentat në Sarajevë më 28 qershor 1914, u bë shkak që Austro-Hungaria t’i shpallte luftë Serbisë, ndërsa Fuqitë Qendrore dhe Fuqitë Aleate t’i shpallnin luftë njëra-tjetrës, duke ndezur Luftën e Parë Botërore.

Franz Ferdinand

Më 1495, vdiq Alfonsi II, i njohur si Alfonsi i Aragonës, Duka i Kalabrisë, mbreti i Napolit, mbrojtës i poetëve të Rilindjes italiane, djali më i madh i Ferdinandit të Napolit; më 1460, Ferdinandi u mund keq nga rivalët Anzhuinë, por triumfoi pasi në ndihmë i erdhi Skënderbeu. Ky gjest la gjurmë tek Alfonsin 20 vjeçar, i cili kur u bë mbret më 1494 dhe arbërit kishin mbetur pa vatër, ai përkrahu personalisht familjen e Kastriotëve në mërgim; tregoi kujdes të veçantë për një stërnip të Skënderbeut, duke i dhënë disa zotërime në rajonin e Pulias, Kalabri, që do të bëheshin më pas qendra banimi arbëreshe në Itali.

Në 18 dhjetor 1981 në Shqipëri, një komunikatë zyrtare e lëshuar nga presidiumi i Kuvendit popullor dhe Këshilli i Ministrave njofton se kryeministri Mehmet Shehu, 68 vjeç, kishte vrarë veten një natë më parë “gjatë një krize nervore”.

Mehmet Shehu

Hollësi të tjera nuk pasuan; zi kombëtare nuk do të kishte, as funeral shtetëror. Pas një viti heshtje – gjatë së cilës e gjithë familja e të afërmit dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Shehut u vranë, burgosën e internuan – më 10 nëntor 1982, Enver Hoxha deklaroi se “ekzistojnë fakte të pakundërshtueshme” (të cilat ai nuk i paraqiti), se Mehmet Shehu ishte një nga “tradhtarët dhe armiqtë” më të rrezikshëm të vendit, dhe që prej Luftës së dytë Botërore, agjent i shërbimeve informative amerikane, jugosllave e sovjetike. Pak ditë pas kësaj deklarate, Ramiz Alia shpallet Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke nxjerrë në pension Haxhi Lleshin, ndërsa Adil Çarçani, ishte caktuar muaj më parë si kryeministër.

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).